Dr. AUREL PLASARI
Kush ishte Çatin Saraçi
Çatin Saraçi (1902-1974), bir i një familje në zë tregtare, i formuar me kulturë europiane dhe mendësi perëndimore, bëri pjesë për një ndërkohë të shkurtër në administratën e lartë të mbretit Zog si funksionar diplomatik. Porse ai njihej edhe si një nga miqtë më të afërt, ndoshta dhe intimë, të Ahmetit qysh në të ri. Kur i drejtohet Zogut, ai e quan veten: "Unë, si ish-shoku yt më i ngushtë...".... See more Dr. AUREL PLASARI
Kush ishte Çatin Saraçi
Çatin Saraçi (1902-1974), bir i një familje në zë tregtare, i formuar me kulturë europiane dhe mendësi perëndimore, bëri pjesë për një ndërkohë të shkurtër në administratën e lartë të mbretit Zog si funksionar diplomatik. Porse ai njihej edhe si një nga miqtë më të afërt, ndoshta dhe intimë, të Ahmetit qysh në të ri. Kur i drejtohet Zogut, ai e quan veten: "Unë, si ish-shoku yt më i ngushtë...". Në mjedisin antagonistik të politikës shqiptare të asaj kohe bashkëpunimi Zogolli-Saraçi mbahej aq i padiskutueshëm, sa emri "Çatini" përgojohej edhe për organizimin e vrasjes së Luigj Gurakuqit. Për këto arësye dëshmia e tij për "ish-mbretin e Shqipërisë" vjen edhe më befasuese, pra më tronditëse, për të mos thënë më e denjë për besim. Në një kuptim, para dëshmisë së Çatinit gati-gati duken pakogjë ato çfarë patën shkruar për "mbretin" armiqtë e shpallur të tij: Noli, Konica, Çekrezi etj. Madje duket se mjaft nga tiparet e regjimit zogist dhe të karakterit vetjak të Zogut, që i pati vënë në dukje me të tepërt "historiografia zyrtare", Çatini i ka denoncuar qysh më 1940-n duke ia numëruar me shkrim vetë "figurës".
Thuajse ekzotike ngjan karriera e këtij personazhi në mërgim. Pushtimi i Shqipërisë e zuri Çatin Saraçin në Legatën shqiptare në Londër, si sekretar të parë, dhe ai vijoi të jetonte po në Londër, mbaskësaj si artist. Në kronikat artistike të shtypit të kohës, si dhe në libra dore të historisë së pikturës angleze të mbasluftës, emri i tij figuron ndër përfaqësuesit e impresionizmit anglez, si koleg dhe mik i Oscar Kokoschka-s etj. Ekspozitën e parë vetjake Çatini e hapi mbas luftës, në Redfern Gallery. Në katalogun e ekspozitës shkruhej për të: "Mrekulli ndodhin edhe në thertoren e mbushur agoni, krim dhe korrupsion, që është bota jonë. Ky është mesazhi që përmbajnë veprat e Çatin Saraçit". Në vitet '50 dhe '60 ai hapi edhe dy ekspozita vetjake. Një ekspozitë përkujtimore u çel me 50 punime të tijat më 1975. Ishin punime në vaj, akuarele dhe vizatime, përfshirë peizazhe, natyra të vdekura, portrete. "Ai kishte një ambicje të madhe artistike, por nuk i mëshonte anës publicitare të saj", thoshte për të Dr. Hodin-i në paraqitjen e ekspozitës së 1975-s. Dhe shtonte: "Ishte një mik i dashur, një artist i hollë dhe një ndër personalitetet më të ngjyrshme që kam njohur ndonjëherë. Ishte njeri mondan dhe, në të njëjtën kohë, gjithë urtësi". Piktura e Çatinit lidhet pikësëpari me ekspresionizmin, por ai njihte mirë edhe artin piktorik japonez dhe atë kinez; për këtë arsye Hodin-i vërente se disa ndër kryeveprat e Çatinit janë "lulet".
Një tjetër përhitje ekzotike e personalitetit të tij shfaqet, për shembull, prej librit me kujtime të Lordit Drogheda, me titull Përfitim i dyfishtë (London, Ëeidenfeld & Nicolson). Artist mondan, natyrë versatile dhe shumë inteligjente, mjaft mik me të famshmin Paul Getty, por sidomos "pushtues" grash të famshme, një ëomanizer i vërtetë. "Ime ëmë - shënon vetë Lordi - qe krejt e magjepsur prej tij dhe, ndër të dashurit e shumtë të jetës së saj, ai u bë më i rëndësishmi" (f. 52). Për takimin e parë me të Lordi Drogheda kujton: "Kur ia hodha sytë për herë të parë, qe sikur të kisha pësuar një goditje elektrike" (f. 53). "Baroni Mynhauzen", e quan gjithashtu autori për atësinë e pazakontë që Çatini kishte në të treguar.
Ç'është për ne më e rëndësishme, Çatin Saraçi e la vërtet të shkruar dëshminë e tij për Ahmet Zogun, atë që premtonte në letrën e cila po botohet tani. Një daktiloshkrim i tërë, me titullin Historia e një maskarai (The story of a bad man), ai e depozitoi atë përnjëmend në kasafortën e një Banke të Londrës, prej së cilës tanimë është nxjerrë. Kur ta marrin për duarsh të përkthyer në shqipe, lexuesit shqiptarë do të përjetojnë me siguri një kënaqësi të rrallë: atë të njohjes së të vërtetave historike të zbuluara cullak, por edhe të shijes së hollë me të cilën pena e artistit e pati shkruar.
Letra e Çatinit për ish-mbretin Zog
Prej vitesh kemi punuar fshehurazi njëri kundër tjetrit Që të dy nuk mund t'ia lejojmë vetes luksin e hapjes së një konflikti, por unë po e bëj. Në letrën tënde të datës 20 shkurt dukesh i merakosur për "inaktivitetin" e mikut tënd Çatin. Në të vërtetë, s'ke pse merakosesh as për këtë dhe as për bjerrjen e kohës. Ke të drejtë kur thua se unë mund të bëja shumë për Shqipërinë. Unë mendoj se kam kryer tanimë një punë të madhe duke të bërë ty për Shqipërinë të padëmshëm. E kaluara jote e fëlliqur, doemos, e bën këtë pjesë të punës sime gjë të lehtë. S'mund t'ia lejoj vetes të marr pjesë aktive në politikë për sa kohë përfitoj nga mikpritja e këtij vendi por, sa të jem gjallë, nuk do të resht kurrë së menduari dhe së vepruari me sa të mundem për një Shqipëri të pavarur.
Prej vitit 1917 deri më sot nuk të kam kërkuar asnjë lloj favori, aq më pak parà ose post. Përprara se t'ia mbathje nga Shqipëria ti kërkove dhe more prej meje artikuj me vlerë prej 270 paundesh. E ke pranuar borxhin tënd me gojë dhe me shkrim, por ngulmon ta shlyesh atë me bankënota të pavlefshme shqiptare. Ditën kur të vizitova në Tour të Francës, në fund të tetorit të kaluar, ti më dhe 10 mijë franga franceze dhe dy mijë franga ari shqiptare në bankënota, që u provuan të ishin të pavlefshme, dhe jo 200 paunde angleze, sikurse më pate thënë atëherë. Kur unë vërejta se, me sa dija, 2 mijë frangat shqiptare ishin vetëm nominalisht 200 paunde dhe se asnjë treg jashtë Shqipërisë nuk i pranonte ato, ti në fillim më the se Z. Noçka, sekretari i Legatës, kishte këmbyer në bursën e zezë pariziane shuma të mëdha frangash shqiptare, mandej the se unë duhej t'i quaja të dyja shumat si dhuratë për udhëtimin tim. Më premtove mandej të më paguaje 5 mijë paunde në "cash" shumë-shumë deri prillin e ardhshëm. 5 mijë paundet do të paguheshin mbasi qeveria franceze të kishte paguar "Listën" tënde "të ushtarëve". Më the se kishe bërë disa bisedime të gjata me Daladier-in dhe se francezët nuk ishin aq kokëfortë, saktësove sa kolegët e tyre anglezë në Londër, dhe se Franca ishte e vetmja fushë politike për ty, duke qenë se Anglia nuk të lejoi të ishe aktiv në politikë sa kohë të qëndroje në Angli. Ti deshe ndihmën time në Europë, dhe atë të Faik Konicës në ShBA, ku planifikoje të filloje një fushatë mbledhjeje ndihmash nga Kryqi i Kuq nën patronazhin e gruas sate gjysmamerikane. Më dëftove faturën e bankës "Lloyds" për të dëshmuar se i kishe dërguar 500 paunde Ministrit Konica dhe se emri im dhe i tiji do të figuronin në krye të Listës së gjithë atyreve që do të paguheshin nëpërmjet teje prej qeverisë franceze. Organizimi i kësaj ushtrie ballkanike shqiptare do të bëhej, fshehurazi në krye të herës, duke filluar nga Stambolli, ku 50 mijë shqiptarë do të rekrutoheshin dhe armatoseshin.
Qeveria perandorake e Austrisë të internoi më 1917 ngase kishe paraqitur lista për 10 mijë ushtarë, kur nuk kishe as 5 mijë për të paguar. Të njëjtën gjë bëre me Pashiqin më 1924, kur ishim në Beograd. Kohët e fundit "Listat" e famshme u patën paguar plotësisht nga "Luani", sikurse kishe zakon ta quaje Mussolini-n. Tani kohët ndryshuan dhe maska jote ra. Të pandehësh se marifetet e tua të vjetra mund të shkojnë ende sot, do të thotë të jesh injorant sa i takon mendësisë franceze dhe angleze. Ata e dinë që emri "Zog" është emri më i urryer në mendjen e të gjithë shqiptarëve. Edhe sikur të mbaronte lufta në Ballkan, prania jote në truallin ballkanik do të bënte që 3 milionë shqiptarë të reagonin egër kundër çdo parulle nën të cilën emri "Zog" mund të shfaqej.
Në bisedimin tonë të gjatë në Tour ti theksove se nuk kishe dëshirë të ktheje në Shqipëri, por njëkohësisht shtove se mund të kthente yt bir si pretendues froni. Ti e di po aq mirë sa e dinë të gjithë shqiptarët se emri yt është një fatkeqësi e racës sonë dhe se ti nuk ke as edhe një partizan të vetëm jashtë Shqipërie, përveç atyre gangsterëve [angl. Gangters] të paktë të paguar mirë dhe të armatosur mirë përqark teje. Por interesi yt i vetëm është të grumbullosh edhe më milionë. Përfundimet kurrfarë rëndësie për ty s'kanë.
Nëse Shqipëria do të shohë ende një rreze shprese për të fituar së rishti lirinë, kjo mund të realizohet vetëm nëpërmjet Anglisë dhe Francës. Shqiptarët do t'i japin gjithë dëshirë jetët e tyre për kryqëzatën anglo-franceze, kryqëzatën e njerëzimit të qytetëruar, por atëherë as ti dhe as emri yt i mallkuar s'kanë për t'u ndier më. Ti nuk do të kesh fuqi ta dëmtosh më Shqipërinë! Letra jote tjetër, që e mora dje, dhe që mban datën 29 shkurt, është e të njëjtit stil të vjetër, e denjë për karakterin dhe nivelin e një maloku analfabet dhe hipokrit të fisit prej nga ke dalë. Thirrja jote për miqësinë tonë të vjetër dëshmon se si ndërgjegjja dhe brejtjet e saj po punojnë.
Më 1924 treshja Jak Koçi, ti dhe unë, hartuam dhe nëshkruam një kontratë në të cilën ti bije një mendjeje t'i paguaje Jak Koçit 20 dhe mua 10 për qind të të gjitha shumave që do të nxirrnim nga koncesionet e ndryshme. Pavarësisht biznesit legal, ti e fillove mbretërimin tënd duke vrarë masivisht atdhetarë dhe duke shitur drejtpërsëdrejti ose tërthorazi atdheun tënd. Alessandro Lessona [ministër i qeverisë "Mussolini"], atëherë miku im, të ka paguar më shumë se 4 milionë paunde angleze nga gushti 1925 deri më 1931. Ndonëse e kisha të drejtën, unë asnjëherë nuk ta kërkova pjesën time. Ato parà, sikurse e di çdokush në Shqipëri dhe jashtë saj, janë larë me gjakun e atdhetarëve më të mirë shqiptarë, si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina. Dhe qindra të tjerë. Ato parà me të cilat ti po jeton sot janë produkt i tradhtisë më të ulët dhe janë të lara me lotët dhe vuajtjet e një kombi të tërë, të kombit që ti e shite për parà, ti Judë i Shqipërisë!
Nuk ka asnjë cep të shpirtit tënd të errët që unë të mos e njoh. Nuk ka asnjë bëmë të krejt mbretërimit tënd që të jetë mister për mua. Nga kasollja jote në male, ku u linde, erdhe të jetosh në kështjella luksoze nëpër Europë. Por brejtja e zezë e ndërgjegjes, që dy herë të shpuri deri në zgrip të varrit, është ende aty, në dhomat e mëdha dhe luksoze. Gangsterët e tu të armatosur mund të mbrojnë trupin tënd, por jo sigurisht shpirtin tënd të errët dhe mjeran. Miqtë dhe armiqtë që ke vrarë të sillen vazhdimisht rrethqark, ditë dhe natë, kudo që të rrekesh të ikësh. Hijet e më shumë se një milion shqiptarëvë të robëruar të ndjekin duke gjëmuar e duke vikatur emrin tënd. Qindra mijëra shqiptarët që vdiqën për liri nuk mund të të lënë vetëm. Unë, si ish-shoku yt më i ngushtë, e di sa mirë të punon stomaku dhe sa të qetë e ke gjumin, prandaj edhe të uroj jetë të gjatë, shumë të gjatë. Mund t'i përdorësh milionët e tu, por me siguri kurrë nuk do t'i gëzosh. Sikurse shpesh më pate thënë vetë, jeta për ty është më se e mbaruar, por brerjet e zeza dhe torturuese ende jo.
Unë jam i vetmi shqiptar jashtë që i di dhe mund t'i provoj krimet e tua të kaluara. Ato tani janë shkruar dhe ndodhen të siguruara në kasafortën e një Banke. Shqiptarët kanë për të lexuar një histori të pikëllueshme, të huajt një histori të neveritshme.
Unë, Çatin Saraçi, të akuzoj ty Ahmeti Zogu si tradhtar të atdheut tënd, si vrasës dhe hajdut!
Për armiqtë e tu personalë, që jetojnë jashtë, ti je mësuar të kurdisësh vrasje dhe shumë prej viktimave të caktuara prej teje kanë përfunduar të grirë plumbash. Ky lloj gangsterizmi ishte i mundshëm për sa kohë jetoje përtej hapësirës së ligjit. Tani që je person privat dhe që jeton në një vend ku huri dhe gijotina janë ndëshkimi për krimin, unë të sfidoj të bësh provë e të përdorësh metodat e tua të dikurshme. Mirëpo kriminelët janë gjithmonë frikacakë fizikisht. Unë jam një refugjat i thjeshtë, që përfitoj nga mikpritja e këtij populli fisnik dhe i respektoj plotësisht ligjet e tij, kështu që të sfidoj të ndërmarrësh veprime legale ndaj meje. Të siguroj që, nëse dal fajtor, ligji anglez do t'ia bënte qejfin Ahmet Zogut, ngase ky vend në raste të tilla përdor ndëshkime më të rrepta se çdo vend tjetër në botë.
Duke lexuar letrat e tua, në të cilat ti ende guxon të flasësh për atdhetari dhe ende guxon të më përmendësh mua emrin e fshehtë të Shqipërisë [sic], e ndiej veten të mbushur me një krupë edhe më të madhe nga ajo e gjithë krimeve të tua të kaluara.
Shqipëria ka parë pushtues edhe më të fuqishëm nga këta të sotmit dhe, me kalimin e kohës, ata ikën. Do të ikin edhe kësaj radhe, por emri yt s'ka për të figuruar askund. Synimi kryesor i kësaj letre është të të paralajmërojë për herë të fundit të mos ngatërrohesh më në gjithë sa i përket Shqipërisë, ose unë do të detyrohem t'u tregoj diçka më shumë francezëve dhe anglezëve. Bankënotat e pavlefshme, si dhe letrat e tua të fundit, po i ruaj si dokument të pandershmërisë sate. Ndonëse jam në shtrëngesë ekonomike, ato gjithmonë do ta kenë vlerën e 200 paundeve për mua dhe, sidoqë mund t'i marr ato parà nëpërmjet çdo gjyqtari francez, kam vendosur ta mbaj këtë souvenir të fundit.
Çatin Paskal Saraçi
London, Ë.8
21 A. Stratford Rd. ▲ Collapse |